QEVERIA TË JETË MË FUNKSIONALE, ME MBËSHTETJE MË TË FORTË

Qeveria e pakicës duhet të jetë më funksionale dhe të ketë mbështetje më të theksuar nga parlamenti, janë dakorduar raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi Tonino Piculla dhe bashkëkryetari i komisionit për Malin e Zi Vlladimir Bilçik. Eurodeputetët, të cilët po ndjekin nga afër situatën në Mal të Zi, deklarojnë se qeveria e re duhet të ketë një program të qartë, i cili do të kontribuojë jo vetëm në përshpejtimin e rrugës drejt BE-së, por edhe në zgjidhjen e problemeve të akumuluara. „Të gjithë partnerët malazezë në Bruksel, duke filluar nga Parlamenti Evropian dhe institucionet tjera, presin që Qeveria, e cila u paralajmërua të formohet në fund të javës, të jetë e ngjashme me shumicën e qytetarëve malazezë,“ tha raportuesi i PE për Malin e Zi, Tonino Piculla. “Qeveria e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2020 nuk përmbushi një sërë reformash të rëndësishme që supozohej ta sillnin Malin e Zi më afër anëtarësimit në BE. Është e domosdoshme që Qeveria e re të ketë mbështetje të qartë dhe të qëndrueshme në Parlament për reformat themelore në fushën e shtetit të së drejtës. Legjislacioni zgjedhor, por edhe reformat kryesore të nevojshme për të stabilizuar ekonominë e Malit të Zi dhe për të ecur drejt anëtarësimit në BE,” tha Bilçik për TVMZ. Bashkëbiseduesit theksojnë se është e nevojshme që pushteti ekzekutiv të ketë një program koherent, të bazuar në zgjidhjen e problemeve të shumta në skenën politike të brendshme, të cilat burojnë nga polarizimi i thellë i rivalëve politikë, sfidave ekonomike, por edhe nga agjenda pro-evropiane.  Nëse këto ambicie realizohen, Bilçik e konsideron realiste që deri në vitin 2024, kur janë caktuar zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet e rregullta në Mal të Zi, Mali i Zi do të jetë shumë më afër anëtarësimit në BE.

SHARE