KENIA NJEH ZYRTARISHT SHTETËSINË E KOSOVËS

Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Republika e Kenias është bërë shteti i 118 që zyrtarisht e ka njohur shtetësinë e Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu.

Një gjë të tillë fillimisht e ka bërë të ditur ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale publikoi fotografi nga ceremonia ku sipas tij u zyrtarizua kjo njohje, në Nairobi.

“Sot, Kosova shkruan histori! 17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!”, ka shkruar Pacolli.

Ish-ministri kosovar tha se ka lobuar në Kenia për njohjen e Kosovës, që nga viti 2009, derisa theksoi se presidenti William Ruto, “i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016”.

Pas Pacollit, presidentja e vendit Vjosa Osmani, tha se Kosova e mirëpret njohjen nga Kenia duke theksuar se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik”, shkroi Osmani.

Osmani tha se përgjatë këtyre viteve, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me homologun e Kenias “në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve”.

“Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, shkroi Osmani e cila tha se angazhim të vazhdueshëm për këtë proces dha ish-presidenti dhe ish-ministri jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Sipas listës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të publikuar në faqen zyrtare, deri më tani pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, pa Kenian, e kanë njohur 117 shtete. Njohja e fundit erdhi nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.

SHARE