DUHET NDRYSHUAR KONCEPTI I MËSIMDHËNIES

Reformat e shpejta të arsimit në letër nuk do të japin rezultat, duhet më shumë kohë për të ndryshuar konceptin e mësimdhënies, por edhe të të mësuarit pasiv, u theksua në tryezën e CANU-s për rezultatet e testimit PISA dhe cilësinë e arsimit në Mal të Zi.

Testet ndërkombëtare PISA tregojnë se 15-vjeçarët malazezë kanë njohuri më të këqija në matematikë, lexim dhe shkenca natyrore sesa nxënësit një dekadë më parë. Ky test njohurish tregoi se po largohemi nga mesatarja botërore, sidomos kur bëhet fjalë për matematikën.

“Në mes të dy cikleve të PISA, rezultatet treguan se nxënësit tanë mbeten prapa të tjerëve për një vit shkollor në krahasim me ciklin 2018”, thotë Millosh Triviq nga Qendra e Provimeve.

Testi PISA mat katër nivele të njohurive dhe më i rëndësishmi është niveli i shkrim-leximit funksional, ku nxënësve u kërkohet të kuptojnë informacionin dhe ta zbatojnë atë në situata të thjeshta. Kjo është ajo ku nxënësit tanë ngecin më shumë.

“Nxënësit fitojnë njohuri për lëndën, por kur e gjejnë veten në një situatë ku duhet t’i zbatojnë ato njohuri në një situatë reale, ata janë në vështirësi”, thotë Zoran Llalloviq nga Enti për Arsim.

Mënyra se si nxënësit tanë mësojnë nuk është në përputhje me kërkesat e testit PISA, nëse keni parasysh që nxënësit tanë dëgjojnë leksione në shkollë dhe në shtëpi mësojnë kryesisht fjalë për fjalë nga librat.

“Mesazhi është që të fillojmë të respektojmë atë që na tregojnë të dhënat për dobësitë tona dhe të korrigjojmë sistemin bazuar në këtë,” tha akademiku i CANU-s Sllobodan Backoviq.

SHARE