KURTI: PARTNERËT KYÇË TREGTARË TË KOSOVËS JANË SHTETET E BASHKIMIT EVROPIAN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partnerët kyçë tregtarë të Kosovës janë shtetet e Bashkimit Evropian.

Në samitin për investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti u pyet për partneritetin tregtar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Ai tha se një nga to është Rusia, me të cilën, Kosova, sipas tij, nuk do partneritet.

“Partnerja jonë kyçe tregtare është BE-ja dhe ne duam që ta forcojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Kurti në samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Ne nuk kemi raporte me Federatën Ruse, ne i kemi vendosur sanksione Federatës Ruse. Ne duam që Ukraina të fitojë dhe na duhet e gjithë Evropa demokratike dhe bota të shohim Kremlinin dhe presidentin despotik [Vladimir] Putin të mposhtur. Nuk jemi duke bashkëpunuar me ta, edhe nëse ata do të donim, ne nuk duam. Kemi disa importe nga Kina, por shtetet e BE-së janë partneret tona kyçe tregtare”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në shtetin e tij ka fuqi të re punëtore dhe kosto konkurruese tregtare.

“Qeveria jonë është e fokusuar në sundim të ligjit, në luftimin e korrupsionit dhe në linjë të plotë me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në aspektin gjeopolitik dhe në vlera edhe në aspektin e të bërit biznes”.

Pas panelit, kryeministri Kurti po ashtu njoftoi për nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit me BERZH-in në vlerë prej 400 milionë eurosh investime “në sektorët tanë prioritarë” për periudhën 2024-2027.

“Mbi 340 milionë euro në kredi sovrane dhe grante në 11 vjetët që kur jemi bërë anëtar” të BERZH-it, shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Twitter.

SHARE