HUNGARIA MIRATON ANËTARËSIMIN E SUEDISË NË NATO

Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike.

Ligjvënësit kanë votuar me 188 vota për dhe gjashtë kundër.

Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria “mbështet anëtarësimin. NATO-ja është një aleancë e mbrojtjes. Ne bëjmë aleanca për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga jashtë. Nuk ka ndonjë angazhim më serioz se ky.”

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO vjen pas vizitës së Kryeministrit suedez Ulf Kristersson javën e kaluar në Budapest, gjatë të cilës dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për armatim. Kryeministri Orban tha se bashkëpunimi mes Suedisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes dhe anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojnë sigurinë e Hungarisë.

“Kemi një marrëdhënie të gjatë me shtetin nordik dhe kemi patur edhe mosmarrëveshje. Shumë njerëz nga jashtë provuan të ndërhyjnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona. Ata jo vetëm që nuk kanë ndihmuar, por kanë penguar. Hungaria është shtet sovran dhe nuk toleron diktatin e të tjerëve mbi të, qoftë për përmbajtjen e marrëveshjes apo kornizën kohore të saj,” theksoi kryeministri hungarez Orban.

SHARE