BANKA QENDRORE E KOSOVËS KONFIRMON PJESËMARRJEN PËR TË DISKUTUAR RRETH DINARIT NË BRUKSEL

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian (BE) më 27 shkurt në Bruksel, për të diskutuar lidhur me vendimin e saj për ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në territorin e Kosovës.

BQK-ja në një përgjigje për Anadolu ka thënë se edhe kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Takimin ku do të diskutohet rreth Rregullores së re të BQK-së në Bruksel tashmë e ka konfirmuar edhe BE-ja, duke thënë se ky takim do të jetë “në rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”. Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli tha për mediat kosovare se Kosova dhe Serbia e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk ka saktësuar pjesëmarrësit e delegacioneve.

Më herët as Qeveria e Kosovës nuk ka deklaruar se nga kush do të përfaqësohet Kosova në këtë takim, ndërsa nga pala serbe kanë deklaruar se Serbia do të përfaqësohet nga shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori i dialogut, Petar Petkoviq. Rregullorja e re e BQK-së, e cila hyri në fuqi nga 1 shkurti 2024, përjashtoi valutat tjera jo-euro për operim në Kosovë.

Ky vendim shkaktoi pakënaqësi te serbët e Kosovës të cilët në masë të gjerë e përdorin ende dinarin serb si valutë, po ashtu edhe nga autoritetet e Serbisë.

Megjithëse, SHBA-ja kërkoi që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet, autoritetet kosovare bënë të ditur se zbatimi i rregullores do të ketë një periudhë tranzicioni i cili nënkupton informim për bizneset dhe qytetarët dhe jo ndëshkime të menjëhershme për ta.

Serbët në Kosovë paguhen ende me dinarë nga Serbia për paga, pensione dhe ndihma sociale.

SHARE