BALLKANI PERËNDIMOR KA NJË TË ARDHME NË BASHKIMIN EVROPIAN

Ballkani Perëndimor ka një të ardhme në Bashkimin Evropian, prandaj është e rëndësishme që rajoni të integrohet në BE përmes Planit të Rritjes edhe para anëtarësimit zyrtar, ishte konkludimi i Samitit të gjashtë të Investimeve të Ballkanit Perëndimor organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Zgjerimi është prioritet për liderët e Bashkimit Evropian dhe ne po punojmë shumë që të përgatitemi për anëtarët e rinj, sepse e ardhmja juaj është brenda BE-së. Ne e dimë që duhet ta përshpejtojmë procesin dhe për këtë arsye të dyja palët duhet të jenë të gatshme. Zgjerimi është një proces i vështirë, i cili sjell përfitime dhe detyrime. Kërkohet të forcohet shteti ligjor dhe vlerat demokratike, gjithashtu të jemi ekonomikisht të gatshëm për BE-në, ndaj duhet të forcojmë konvergjencën ekonomike. Kjo është arsyeja pse ne propozuam Planin e Rritjes, si një mbështetje dhe sinjal i përkushtimit tonë të plotë për integrimin gradual të rajonit. Kjo do të forcojë integrimet, por edhe ekonominë, pasi ka potencial për të dyfishuar ekonominë e BP-së përmes këtij plani”, tha Charles Michel, President i Këshillit Evropian.

Komisioneri Evropian Oliver Varheli theksoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes.

„Ky është një moment i ri për zgjerimin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ne kemi identifikuar katër themele si kyçe: afrimin e BE-së me tregun e përbashkët, forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e mbështetjes financiare. Së bashku, këto gjëra do t’i mundësojnë Ballkanit Perëndimor të ndjejë përfitimet edhe para se të anëtarësohet zyrtarisht në Bashkimin Evropian,“ tha Varheli.

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq theksoi se Qeveria e 44-të tashmë është duke përgatitur gjerësisht reformat e nevojshme për të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme shfrytëzimin e mjeteve nga fondi i Planit të Rritjes. Ai shpjegoi gjithashtu pse Mali i Zi duhet të jetë zgjedhja e investitorëve të besueshëm.

“Fakti që jemi një partner i besueshëm i NATO-s është shumë i rëndësishëm për sigurinë e investitorëve, si dhe fakti që ne përdorim euron, kështu që të gjitha asetet, detyrimet dhe të ardhurat tona janë në euro dhe janë plotësisht të mbrojtura. Së treti, ne jemi përgjegjës fiskal në kuadrin e kritereve të BE-së dhe në lidhje me borxhin ndaj PBB-së dhe deficitit fiskal. Në gjashtë vitet e ardhshme do të punojmë në projekte të mëdha infrastrukturore, autostrada dhe hekurudha, si dhe do të fokusohemi në zhvillimin e aeroportit dhe portit të Tivarit. Ne po përparojmë shumë shpejt në integrimin në BE, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, tha kryeministri dhe shtoi:

„Ajo që na dallon është një nga çmimet më të ulëta të energjisë në Evropë, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, ne kemi gjithashtu një furnizim të sigurt, veçanërisht me energji elektrike. Ne kemi një potencial të madh për të zhvilluar kapacitete për burimet e rinovueshme të energjisë. Nëpërmjet lidhjes sonë nëndetëse me Italinë, ka vend për të ndikuar në çmimin e energjisë elektrike në treg, sepse ju e prodhoni atë në Ballkan, në Mal të Zi dhe e shisni atje ku është një nga çmimet më të larta në Evropë. Këto janë mundësi të shkëlqyera për bizneset në Mal të Zi.“

Në Samitin e Londrës, përveç kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, folën edhe zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

SHARE