Gjërat që duhet të dini për kujdesin ndaj sinuseve

A po përjetoni dhimbje koke të papritur, dhimbje të fytyrës, rrjedhje dhe bllokim hundësh?

Edhe pse këto mund të jenë simptomat e një ftohjeje, ato mund të tregojnë gjithashtu se mund të keni një infeksion të sinusit.

Një infeksion i sinusit, është një inflamacion që ndodh kur sekrecionet mblidhen në këto zgavra të fytyrës dhe lejojnë që mikrobet të shtohen.

Simptomat e zakonshme të një infeksioni të sinusit përfshijnë: Bllokim i kanaleve të hundës, ndjeshmëri nën sy ose në hundë, dhimbje në pjesën e përparme të kokës, dhimbje dhëmbësh, kollitje, ethe dhe lodhje.

Një infeksion i sinusit mund të shkaktohet nga një infeksion bakterial, viruse ose kërpudha.

Alergjitë dhe astma janë gjithashtu të lidhura me infeksionet e sinusit.

Simptomat e migrenës gjithashtu mund të ngatërrohen me simptomat e një infeksioni të sinusit: Shumë njerëz mendojnë se kanë një “dhimbje koke sinusale” kur në fakt ata kanë një sulm migrene, shkruan agroweb.

Lani duart

Viruset janë shkaku më i zakonshëm i infeksioneve të sinuseve.

Prandaj larja e duarve rregullisht mund t’ju ndihmojë të shmangni viruset.

Hiqni dorë nga cigarja dhe shmangni çdo lloj tymi

Për të mbrojtur sinuset, mos pini duhan dhe shmangni çdo lloj tymi dëmtues.

Tymi i duhanit dhe ndotësit e tjerë të ajrit mund të irritojnë mushkëritë dhe kanalet e hundës dhe të rrisin rrezikun për t’u prekur nga sinusiti kronik.

Mbani të lagështa sinuset tuaja

Nëse ajri në shtëpinë tuaj është i thatë, shtimi i lagështirës me një lagështues ajri mund të ndihmojë në parandalimin e sinusitit.

Shmangni alergjenët e zakonshëm

Njerëzit që kanë alergji dhe astmë janë në rrezik më të madh të infeksioneve të sinusit.

Alergjitë dhe astma shkaktojnë një grumbullim të inflamacionit dhe mukusit në sinuset dhe mushkëritë tuaja.

Sinusiti alergjik është një reagim ndaj pluhurit, polenit, tymit etj.

Pastroni sinuset

Pastrimi i hundës është një mënyrë e thjeshtë për të ndihmuar në parandalimin dhe trajtimin e problemeve të sinusit.

Mbushni një shiringë të vogël me tretësirën e ujit të kripur të bërë në shtëpi dhe shpëlani hundët.

Shpëlajeni tërësisht shiringën dhe thajeni pas çdo përdorimi.

Pini sa më shumë lëngje

Për të zvogëluar mundësinë e zhvillimit të sinusitit ose për të lehtësuar simptomat e hershme, është e rëndësishme të pini sa më shumë ujë dhe lëngje gjatë gjithë ditës.

SHARE