VAZHDOJNË PROTESTAT NË BEOGRAD, DEMONSTRUESIT KËRKOJNË ZBARDHJEN E PARREGULLSIVE NË ZGJEDHJE

Protestat vazhduan edhe sot në Beograd duke kërkuar hetim dhe sqarim të dyshimeve për parregullsi zgjedhore në Serbi.

Demonstruesit, kryesisht studentë, u mblodhën në orën 11:00 para Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Beograd, ndërsa atyre iu bashkuan edhe demonstrues nga Novi Sadi.

Demonstruesit lexuan kritikat dhe kërkesat e tyre dhe pika e parë ka të bëjë me, siç pretendojnë ata, parregullsitë në përgatitjen e listave të zgjedhësve dhe regjistrimin e votuesve.

Ata dyshojnë për vjedhje të votave në zgjedhje dhe menaxhim jo të rregullt të materialeve zgjedhore.

Duke iu referuar të drejtës kushtetuese për zgjedhje të lira, protestuesit thanë se çdo individ ka të drejtë të zgjedhë dhe se nuk duhet të ketë detyrim.

Ata kërkojnë verifikimin dhe përditësimin e listave të zgjedhësve dhe hetimin e dyshimeve për vjedhje votash.

Siç kanë paralajmëruar edhe më herët, nëse nuk marrin përgjigje pozitive për kërkesat e tyre nga Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, protestuesit do të vazhdojnë protestën e tyre me bllokada të trafikut në dy lokacione në kryeqytetin serb.

Nga ana tjetër, shefi i Drejtorisë së Policisë, Ivica Ivkoviq, tha se “sot pritet bllokadë e Ministrisë edhe e Urës në Brankovo”, pa specifikuar se studentët do të jenë ata që do ta bllokojnë urën. Ai shtoi se “nuk do të tolerohen bllokadat e institucioneve shtetërore dhe urave” dhe se do të ketë denoncime.

Që nga e diela, Beogradi është përfshirë nga protesta të organizuara nga koalicioni “Serbia kundër dhunës” me kërkesë për anulimin e zgjedhjeve, për shkak të parregullsive. Protestat u zhvilluan para Komisionit Republikan Zgjedhor duke filluar nga ora 18:00.

SHARE