NË FILLIM TË SEZONIT TË VERËS, WIZZ AIR DHE RYANAIR MUND TË RIKTHEJNË LINJAT AJRORE

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit të Malit të Zi, Elldin Dobarxhiq, ka bërë të ditur se kompania ka dhjetë milionë euro rezultat më të mirë se vitin e kaluar dhe se po funksionon pa humbje.

Në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi, ai ka thënë se kanë informacione jozyrtare se në fillim të sezonit veror, linjat ajrore me buxhet të ulët Wizz Air dhe Ryanair do të riaktivizojnë linjat drejt Malit të Zi, të cilat i kanë anuluar në fund të tetorit.

Dobarxhiq theksoi se duhet të jetë i kënaqur me rezultatin 35 për qind më të mirë se vitin e kaluar dhe se të hyrat i kanë tejkaluar pritjet.

“Për 11 muaj të hyrat bruto janë në nivelin 42 milionë euro dhe në fund të vitit presim 44 milionë, po ashtu ka rritje të pasagjerëve të transportuar dhe na pret periudha e pushimeve dhe më pas diaspora që vjen në Mal të Zi…”, tha kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit dhe theksoi se në vitin 2023 kanë përfunduar me të hyra prej 34 milionë euro.

Për linjat që mbajnë kompanitë me buxhet të ulët, Dobarxhiq tha se situata në Mal të Zi është specifike.

“Qasja jonë duhet të jetë specifike dhe të merren parasysh veçoritë e aeroporteve tona që janë shtetërore. Gjatë sezonit të dimrit kemi tetë destinacione me të cilat jemi të lidhur nga kompanitë me kosto të ulët Wizz Air dhe Ryanair dhe jozyrtarisht kemi marrë informacion nga Wizz se do të aktivizohen sërish fluturimet në fillim të sezonit veror. Sinjalet janë gjithashtu se Ryanair do të kthejë shumicën e destinacioneve të saj.”

Kryetari i Bordit theksoi se duhet bërë një plan me shtetin, ministrinë përkatëse dhe institucionet e tjera që të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat dhe në periudhën në vijim të rritet numri i destinacioneve me të cilat kompanitë me buxhet të ulët do të lidh Malin e Zi.

SHARE