Forumi Shqiptar vendosi që bartësi i asaj liste Nik Gjeloshaj të jetë kandidati për zëvendëskryeministër dhe ministrër i Zhvillimit Ekonomik, ndërsa për ministër të Administratës Publike Marash Dukaj.
“Ju bëjmë me dije se në bazë të marrëveshjes së të gjitha organeve partiake është marrë një vendim unanim për kandidatët që do të prezantojnë Forumin Shqiptar. U vendos që kandidat për zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik të jetë bartësi i listës së Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj, ndërsa kandidat për Ministër të Administratës Publike është Marash Dukaj”, thuhet në njoftimin e Forumit Shqiptar.
Anëtarët e Forumit Shqiptar, siç u tha, i rekomanduan dhe propozuan fuqishëm këta dy emra, “duke ditur punën e madhe dhe kontributin e madh që kanë dhënë deri tani në pozicionet e tyre”.
“Gjeloshaj dhe ekipi i tij e shndërruan komunën e Tuzit në një model rajonal të qeverisjes së mirë, duke arritur një zhvillim të madh ekonomik dhe infrastrukturor. Vizioni zhvillimor dhe ekonomik i z. Gjeloshaj do të jetë një aset i fortë në të gjitha çështjet dhe sferat e Qeverisë së ardhshme të 44-të të Malit të Zi. Nik Gjeloshaj është një fitues i dëshmuar dhe një person shumë i përkushtuar në punën që bën dhe kjo na bind se Forumi Shqiptar mori të vetmin vendim të saktë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, siç shtojnë ata, ministri aktual Dukaj është propozuar që të vazhdojë të jetë ministër i Administratës Publike, detyrë që deri më tani, siç thonë ata, “e ka kryer me profesionalizëm dhe sukses, duke reformuar Administratën Publike dhe duke inicuar ligjet që Mali i Zi as nuk i kishte, si Ligji për Qeverinë”.
“Ministria e Administratës Publike nën udhëheqjen e Dukajt për një vit ka punuar më shumë se sa kanë punuar ministrat e tjerë të asaj fushe në dekadat e fundit. Kandidatët tanë për Qeverinë e 44-të do të punojnë gjithmonë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në këtë drejtim Forumi Shqiptar do të jetë faktor kyç në proceset vendimtare politike dhe shoqërore, me theks të veçantë në procesin e decentralizimit dhe zhvillimit të fuqishëm ekonomik,” theksuan nga Forumi Shqiptar.