KOSOVË, E HËNA DITË ZIE NË NDERIM TË POLICIT TË VRARË NË VERI AFRIM BUNJAKU

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur të hënën, 25 shtatorin, ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Rreth orës 3:00 të mëngjesit të datës 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit nga sulmet ndaj njësiteve policore kosovare mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku ndërsa u plagos polici Alban Rashiti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur “Hero të Kosovës”, policin e rënë gjatë detyrës gjatë orëve të para të mëngjesit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, pas një sulmi të armatosur në drejtim të njësitit policor.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se bëhet fjalë për sulme ndaj zyrtarëve policorë në dhe rreth Manastirit në Banjskë të Zveçanit nga rreth 30 persona të armatosur rëndë.

Në deklarimin e fundmi rreth situatës në veri, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, deklaroi për media se aksioni i Policisë në Banjskë të Zveçanit në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.

Ai ka thënë se ka informata se bëhet fjalë për grup terroristësh nga disa grupe kriminale.

Sveçla tha se zona ku Policia po kërkon është më e gjerë se ajo në Manastir të Banjskës.

SHARE