RIKTHEHEN PROTESTAT E DHUNSHME NË SERBI

Mijëra studentë dhe qytetarë u mblodhën këtë të shtunë në qendër të Beogradit, duke kërkuar zgjedhje të reja parlamentare.

Protesta në kryeqytetin serb zgjati për disa orë dhe u shoqërua me tensione të forta, përplasje dhe kaos.

Nën sloganin “Studentët fitojnë”, protestuesit u mblodhën në sheshin Slavija, një nga pikat kryesore të protestave në muajt e fundit.

Gjatë tubimit u hodhën gurë dhe sende të tjera drejt policisë. Protestuesit rrëzuan gardhin pranë Presidencës dhe hodhën një numër të madh mjetesh piroteknike drejt forcave të rendit.

Protestat e studentëve në Serbi kanë nisur pas shembjes tragjike të stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën disa persona. Kjo lëvizje ka nxitur demonstrata masive, përfshirë edhe protestën e marsit 2025 me rreth 300 mijë pjesëmarrës.

Studentët, të cilët kanë marrë pjesë në protesta, thanë se shpresojnë që tubimi i së shtunës të rikthejë vrullin e lëvizjes dhe të shtyjë presidentin Aleksandar Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme.

SHARE