Në prag të sezonit turistik, Shqipëria po hyn në verën e 2026-ës me shifra që konfirmojnë një lëvizje të shtuar të të huajve në kufijtë shqiptarë.
Vetëm gjatë muajit prill, në territorin shqiptar hynë mbi 1.6 milion shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ajo që bie më shumë në sy është ritmi i rritjes së turistëve të huaj.
Sipas të dhënave të INSTAT, në prill hynë 891 mijë shtetas të huaj, ose rreth 72 mijë më shumë se një vit më parë.
Nëse ndalemi te gjeografia e turistëve, Evropa Jugore mbetet motori kryesor i turizmit drejt Shqipërisë, duke sjellë 74% të hyrjeve evropiane. Vetëm nga kjo zonë kanë hyrë mbi 621 mijë vizitorë në një muaj.
Ndërkohë, rritjen më të fortë e kanë shënuar edhe turistët nga Azia e Jugut, të cilët pothuajse janë dyfishuar krahasuar me prillin e kaluar, nga 3.927 në 8.333 hyrje.
Në të gjitha vizitat, 98% e të huajve kanë hyrë në Shqipëri për arsye personale, kryesisht pushime dhe destinacione turistike. Në të kundërt, hyrjet për biznes dhe aktivitete profesionale kanë rënë me 4.7%, çka tregon se vendi po forcon gjithnjë e më shumë profilin si destinacion turistik dhe jo vetëm ekonomik.
Në total, për katër muajt e parë të vitit, Shqipëria ka regjistruar mbi 5.2 milionë hyrje në territor, ndërsa vetëm turistët e huaj kanë arritur në 2.57 milionë.
Këto shifra vijnë në një moment kur shumë qytete bregdetare dhe turistike kanë nisur tashmë sezonin veror. Hotelet dhe strukturat akomoduese në jug dhe në zonat bregdetare kanë raportuar fluks të shtuar që në muajin prill, ndërsa grupet turistike janë shtuar ndjeshëm edhe në muajin maj.









