CEMI: MË SHUMË SE GJYSMA E QYTETARËVE BESOJNË SE MERREN PARA PËR VOTIM, 1/5 DYSHON SE VOTAT NUMËROHEN NË MËNYRË TË DREJTË

Procesi i reformës zgjedhore duhet të hapet për opinionin dhe theksi duhet vënë në ndërtimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor, duke pasur parasysh vlerësimin relativisht të ulët të integritetit zgjedhor, që është 2.9 nga 5, dhe mosbesimin e votuesve.

Kështu u bë e ditur në konferencën për media të organizuar nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI) me rastin e prezantimit të gjetjeve të hulumtimit në kuadër të Studimit Kombëtar të Zgjedhjeve të Malit të Zi, në kuadër të projektit të financuar nga Ambasada Britanike në Podgoricë.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të CeMI-t, Zllatko Vujoviq, tha se studimi nacional zgjedhor i Malit të Zi është pjesë e studimit krahasues për sistemet zgjedhore i cili kryhet në një numër të madh vendesh, duke shpjeguar se është përdorur një pyetësor që është kryesisht identike për të gjitha vendet.

“Ky hulumtim do të jetë pjesë e një baze të dhënash globale, kështu që studiuesit e interesuar për këto çështje do të jenë në gjendje të krahasojnë gjetjet nga disa vende. Ne kemi dashur të përfshijmë në përgatitjen e studimit të gjitha resurset profesionale dhe shkencore që ka Mali i Zi kur flasim për reformën zgjedhore”, tha Vujoviq.

Kryehulumtuesja e Studimit Elektoral të Malit të Zi, Olivera Komar, tha se ndryshimi i rregullave zgjedhore është një punë e rëndësishme, kërkuese dhe e përgjegjshme. Sipas saj, ata hetuan përmasat dhe perceptimet e qytetarëve për: nëse votat numërohen në mënyrë të drejtë, nëse kandidatët e opozitës pengohen të garojnë të lirë, nëse media raporton për zgjedhjet në mënyrë të drejtë, nëse votuesit paguhen për të votuar, nëse zyrtarët zgjedhorë janë të paanshëm dhe nëse njerëzit shantazhohen për të votuar në një mënyrë të caktuar.

“Në pyetjen nëse votat janë numëruar drejtë, anketa ka treguar se një e pesta e qytetarëve kanë shprehur dyshime se votat janë numëruar drejt. Po ashtu, një e treta e qytetarëve nuk ka mendim për këtë çështje”, tha Komar.

Ajo tha se në pyetjen se a pengohen kandidatët e opozitës që të kandidojnë lirishëm, 37,7 për qind mendojnë se nuk egziston një gjë të tillë, ndërsa 22,8 për qind se ka parandalim.

“Të pyetur se a raportojnë mediat në mënyrë të drejtë për zgjedhjet, 25.1 për qind besojnë se kjo nuk ndodh, ndërsa 41.8 për qind besojnë se media raporton zgjedhjet në mënyrë të drejtë. Për më tepër, ne pyetëm qytetarët nëse votuesit paguhen për të votuar për dikë, dhe hulumtimi tregoi se çdo i dyti qytetar në Mal të Zi beson se njerëzit marrin para për të votuar, ndërsa 16.8 për qind e tyre besojnë se kjo zakonisht nuk ndodh”, tha ajo.

Ajo shpjegoi se në bazë të këtyre rezultateve të hulumtimit është nxjerrë indeksi i integritetit zgjedhor, i cili në intervalin një deri në pesë në Mal të Zi është 2.97.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e procesit zgjedhor, duhet të synojmë që ai integritet dhe besim në procesin zgjedhor të jetë dukshëm më i lartë se ky”, theksoi Komar.

SHARE