SPAJIQ: BALLKANI PERËNDIMOR DUHET TË FOKUSOHET NË EKONOMI DHE NË RRUGËN DREJT BE-së

“Mali i Zi dëshiron të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit dhe duke ratifikuar disa marrëveshje për lëvizshmërinë, ne kemi treguar përkushtimin tonë ndaj procesit të Berlinit”, tha kryeministri Millojko Spajiq në një takim në Berlin me përfaqësuesit e Komisionit të Çështjeve të BE-së të Bundestagut.

“Ne kemi një Samit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në mes të majit në Kotorr dhe duam të mbledhim të gjithë zyrtarët e rajonit, gjë që nuk është e lehtë për shkak të dinamikës së marrëdhënieve në rajon. Prandaj po përpiqemi të ulim sa më shumë tensionet, të fokusohemi në ekonomi, në rrugën drejt BE-së, duhet t’i përkushtohemi qytetarëve, të harmonizojmë gjërat që janë në dobi të tyre, që politika të mos jetë pengesë për këtë,” theksoi kryeministri.

Në bisedë me përfaqësuesit e Komisionit për Çështje të BE-së të Bundestagut, është folur edhe për integrimin në BE, si dhe për reformat e planifikuara.

Kryeministri vuri në dukje se Mali i Zi dëshiron të përvetësojë vlerat e Bashkimit Evropian përmes procesit të negociatave, ndër të cilat është veçanërisht i rëndësishëm sundimi i ligjit, por edhe të bëhet pjesë e tregut të përbashkët. Në rrugën drejt BE-së, siç u theksua, ka hapa shumë të rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit dhe u theksua se kompletimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit Gjyqësor janë thelbësore për reformat në drejtësi.

Sa i përket kontekstit rajonal, ata diskutuan qëndrimet e Qeverisë në lidhje me Kosovën dhe rezolutën për Srebrenicën, ndërsa kryeministri Spajiq përkujtoi se Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështet rrugën e tyre drejt BE-së dhe se Parlamenti malazez votoi rezolutën për Srebrenicën në 2021.

SHARE