ZYRA E KRYETARIT TË KOMUNËS SË TUZIT: DO TË ANKOHEMI NË UEFA DHE FIFA, PËR SHOVINIZMIN QË BËHËT KUNDËR SHQIPTARËVE

Komuna e Tuzit i’u drejtua opinionit lidhur me vendimin e Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Malit të Zi, i cili dje e gjobiti KF Buduqnost me 10 mijë euro, ndërsa tifozëve të këtij klubi, i ndaloi të shkojnë në ndeshjet jashtë vendit për katër ndeshjet e ardhshme – pas ngjarjeve në xhiron e 29-të të Ligës së Parë të Futbollit.

„Të gjithë ata që ishin në stadium atë ditë, por edhe shikuesit që ndoqën në televizion një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni, ishin dëshmitarë të një shpërthimi tjetër të paprovokuar të egërsisë, urrejtjes dhe shovinizmit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të komunës së Tuzit.

“Dhe në vend që, pas disa skandaleve të ngjashme, Federata e Futbollit e Malit të Zi të tregojë me vendosmëri zero tolerancë ndaj racizmit, që është tendencë e vetë UEFA-s përmes fushatës “Say no to racism”, Komisioni Disiplinor me vendimet e tij tregoi se inkurajon drejtpërdrejt këtë lloj sjellje që nuk i shërben nderit as shtetit dhe as sportit në përgjithësi”, theksojnë nga zyra e kryetarit të komunës së Tuzit.

Në reagim thuhet se do të ankohen në UEFA edhe në FIFA.

“Si kryetar i komunës së Tuzit, që është themelues i KF Deçiq, do të inicioj një bisedë me Bordin Drejtues të klubit dhe koalicionin qeverisës për mundësinë e tërheqjes së klubit tonë nga liga, sepse në vend të duartrokitjeve për sjellje korrekte të tifozëve tonë dhe aftësisë/përformancës sportive të treguar nga lojtarët në fushë, KF Deçiq tani e disa vite është shënjestër e sulmeve më të ulëta nacionaliste dhe shoviniste. Ne do t’i drejtohemi UEFA-s dhe FIFA-s me një propozim për të pezulluar dhe për marrë masat e nevojshme kundër Federatës së Futbollit të Malit të Zi për shkak të mbështetjes për racizmin dhe shovinizmin, urrejtjen në baza kombëtare ndaj shqiptarëve, e cila manifestohet në vazhdimësi dhe që Federata e Futbollit të Malit të Zi nuk i dënon sipas rregullores disiplinore”, thuhet në deklaratë.

SHARE