“EVROPA TANI” PËRVEÇ PAGAVE, KA RRITUR DISIPLINËN TATIMORE

Reformat e miratuara përmes programit Evropa Tani po shënojnë rezultate pozitive, ndaj përveç rritjes së pagave ka pasur edhe rritje të disiplinës tatimore, është vlerësuar në seancën e sotme të Trupit Koordinues për monitorimin e zbatimit të programit Evropa Tani. “Me programin Evropa Tani është arritur një synim i përbashkët, që është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Jam i kënaqur që mund të them se suksesi i programit është shënuar në të gjitha organet shtetërore dhe partnerët strategjikë, Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi, dy sindikatat përfaqësuese dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që kemi tregues të shumtë që tregojnë pa mëdyshje disiplinë të rritur tatimore”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Jakov Millatoviq. Përfaqësuesit e Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave prezantuan raporte për realizimin aktual të programit, sipas të cilave është shënuar rritje e konsiderueshme në formularët e pranuar të IOPPD. Ky është një tregues i qartë i rritjes së disiplinës tatimore të tatimpaguesve dhe respektimit të rregulloreve ligjore që lidhen me këtë fushë. “Nga Drejtoria për Çështje të Inspektimit theksuan se i kanë drejtuar të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe administrative për kontroll të rreptë të përmbushjes së obligimeve ligjore dhe se inspektorët e punës janë çdo ditë në terren. Sipas të pranishmëve, bashkëpunimi i shkëlqyer ndërinstitucional kontribuon ndjeshëm në zbatimin e Evropa Tani që i tejkalon të gjitha pritshmëritë”, thuhet në deklaratë.

SHARE