OSMANI: PËRFSHIRJA E GRAVE ËSHTË ÇELËSI KRYESOR PËR ZHBLLOKIMIN E POTENCIALIT TË PLOTË ZHVILLIMOR NË KOSOVË

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përfshirja e barabartë e vajzave dhe grave në jetën publike dhe në biznes nuk është gjëja më e drejtë për ta bërë, por po ashtu është edhe çelësi kryesor për zhbllokimin e potencialit të plotë zhvillimor në Kosovë.

Osmani, e cila u adresua në forumin e biznesit “Kosova Business Forum” në kuadër të diskutimit “Gratë në Lidership”, tha se kur gratë përparojnë dhe janë aktive në shoqëri, vetë shoqëritë përparojnë dhe gëzojnë mirëqenie më të lartë.

Presidentja kosovare tha se rrugëtimi i grave në biznes është i mbushur me sfida, nga paragjykimet sistematike dhe mundësitë e pabarabarta, deri tek sfida e krijimit të balansit mes angazhimit profesional në njërën anë dhe jetës private në anën tjetër.

“Në këtë rrugëtim, krijimi i infrastrukturës së politikave publike mbështetëse është esencial. Kjo përfshinë oraret fleksibile të punës, politikat e duhura të lejes prindërore dhe kujdesin e përballueshëm për fëmijët nëpërmjet mundësisë së çerdheve të mjaftueshme, në mënyrë që gratë të jenë të nxitura edhe më shumë që të angazhohen në biznes dhe jetën publike”, theksoi Osmani para një audience me pjesëmarrëse gra dhe vajza.

Sipas presidentes kosovare, duke krijuar një mjedis ku gratë nuk duhet të zgjedhin midis karrierës dhe familjes së tyre, sepse mund t’i kenë të dyja, institucionet kosovare jo vetëm se ua lehtësojnë atyre angazhimin, por edhe i rrisin mundësitë dhe i fuqizojnë ato për sukses më të madh në çdo sektor.

“Ky aktivitet sot dhe puna juaj e çdoditshme na sjellin një hap më afër qëllimit tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku mundësitë janë të barabarta, dyert janë të hapura dhe dëshira, puna dhe përkushtimi për rritje dhe zhvillim janë shtytësit kryesor drejt hapjes së kapitujve të ri të suksesshëm të historisë zhvillimore të vendit tonë”, theksoi presidentja Osmani.

Nën moton “ Fuqizim i atyre që sjellin ndryshime”, Kosova Business Forum (23, 24 dhe 25 janar) ka bashkuar aktorë të ndryshëm, duke përfshirë liderë biznesi, ekspertë, analistë dhe politikëbërës, me fokus në sfidat dhe mundësitë ekonomike të Kosovës, duke theksuar rolin kryesor të sektorit privat.

SHARE