MAQEDONI E VERIUT, KRYEMINISTRI KOVAÇEVSKI DHE KRYEPARLAMENTARI XHAFERI JAPIN DORËHEQJE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Kovaçevski ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media para hyrjes së Kuvendit, ku ka ardhur të dorëzojë dorëheqjen.

“Sot, siç thashë, do të bëj atë që e kërkon ligji, dorëheqja ime është firmosur dhe tani do ta dorëzoj në arkiv. Do të takohem me kryetarin e Kuvendit, do t’i uroj një procedurë të suksesshme deri të dielën dhe pastaj zgjedhje të suksesshme për kryeministër teknik të Qeverisë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se ndjen nder dhe krenari për punën e tij në dy vitet e fundit, “në një periudhë të një krize të rëndë ekonomike dhe energjetike”.

Kovaçevski njoftoi se paraprakisht ka pasur një takim joformal me ministrat, të cilët i ka falënderuar për “punën e palodhur”.

Ai shprehu besimin se vendi “do të mbajë drejtimin e tij strategjik, që është orientimi perëndimor dhe partneriteti strategjik me SHBA-në”.

Siç bënë të ditur në një komunikatë për media zyra mediale e parlamentit, Xhaferi ka dorëzuar dorëheqjen në funksion në përputhje me Nenin 115 të Rregullores për punën e Kuvendit.

Në njoftim thuhet se kryeparlamentari i deritanishëm e ka autorizuar nënkryetarin Goran Misovski të kryesojë me seancën plenare të caktuar më 26 janar 2024.

SHARE