Drejtoresha e Institutit për Barna dhe Pajisje Mjekësore Dr. Snezhana Mugosha, e ftuar në emisionin Link, tha se burimi më i madh i shfaqjes së barnave të falsifikuara është shitja përmes internetit, përfshirë rrjetet sociale. Siç theksoi ajo, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 50 për qind e barnave që shiten në internet janë të falsifikuara. Mugosha tha se barnat e falsifikuara janë produkte që janë hedhur në treg për qëllime mashtrimi. “Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 50% e barnave që shiten në internet janë të falsifikuara, ky është një problem me karakter të vërtetë global, veçanërisht në vendet në zhvillim, por me të përballen edhe vendet më të zhvilluara dhe sipas të dhënave të OBSH-së, përfaqësimi i barnave të falsifikuara në tregun global është 10-30%, në vendet në zhvillim edhe deri në 50%, ndërsa në vendet e zhvilluara kjo dukuri është reduktuar në 1%”, tha Mugosha. Ajo tërhoqi vëmendjen e qytetarëve se me blerjen e barnave në internet, si dhe me reklama në media dhe në çdo vend tjetër që nuk është farmaci, rrezikojnë shumë shëndetin e tyre. E pyetur nëse të ashtuquajturat barnat zëvendësuese janë me cilësi më të dobët në krahasim me ilaçin origjinal, Dr. Mugosha deklaroi se barnat zëvendësuese ose gjenerike përmbajnë të njëjtën sasi të substancës aktive si ato origjinale dhe se janë të barabarta për nga cilësia, efikasiteti dhe siguria.