ZELENSKYY: RUSINË DO TA SHOHIM NË SAMITIN E PAQES KUR PLANI I FITORES TË VIHET NË ZBATIM PLOTËSISHT

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se dhe Rusia do të marrë pjesë në Samitin e Paqes nëse zbatohet Plani i Fitores i përgatitur nga administrata e Kievit për t’i dhënë fund Luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së Presidencës së Ukrainës, Zelenskyy përmes video-konferencës iu drejtua pjesëmarrësve të Samitit të 3-të Parlamentar të Platformës së Krimesë, të mbajtur në Riga, kryeqytetin e Letonisë.

Në fjalimin e tij Zelenskyy vuri në dukje se Rusia pushtoi Krimenë duke sulmuar Ukrainën në vitin 2014 dhe tha se “Sulmi i Rusisë ndaj sistemit juridik ndërkombëtar filloi me marrjen e Krimesë”.

Zelenskyy kujtoi se ai e prezantoi Formulën e Paqes në Samitin e G20-ës të mbajtur në Indonezi rreth dy vjet më parë, me qëllimin për të parandaluar sulmet jo vetëm në Ukrainë, por edhe në mbarë botën, si dhe për të parandaluar shkeljet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Duke ftuar vendet aleate të ndihmojnë Ukrainën për t’i dhënë fund luftës, Zelenskyy deklaroi: “Rusia qëndron larg diplomacisë së vërtetë dhe nuk dëshiron të kthejë atë që vodhi. Por ju duhet ta detyroni atë ta bëjë këtë”.

Zelenskyy tha se ata kanë përgatitur një Plan Fitoreje për një fund të drejtë të Luftës Rusi-Ukrainë dhe se kanë filluar t’ua prezantojnë këtë udhëheqësve të vendeve aleate. “Kur Plani i Fitores të vihet në zbatim plotësisht, ne do ta shohim Rusinë në Samitin e Paqes. Do të shohim që Formula e Paqes është vënë në zbatim”, shtoi Zelenskyy.

Pasi deklaroi se në sallën ku u mbajt samiti kishte përfaqësues të popullit tatar të Krimesë, duke përfshirë Neriman Celal, zëvendëskryetar i Asamblesë Kombëtare Tatare të Krimesë i cili u lirua nga robëria ruse disa muaj më parë, Zelenskyy u shpreh se “Liria e tij është dëshmi se uniteti dhe vendosmëria mund ta kthejnë në realitet edhe atë që duket e pamundur”.

SHARE