OSMANI KËRKON DORËZIMIN E TERRORISTËVE NGA SERBIA: MASA KUNDËR LIDERSHIPIT ATJE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbyllje të fjalimit të saj në KS të OKB-së, ka thënë se Kosova ka nevojë për garanci thelbësore të sigurisë brenda kornizës së sigurisë euroatlantike, rritjen e sigurisë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë dhe miratimin e masave të qarta kundër lidershipit të Serbisë si pengesë.

Osmani në mbledhjen e KS të OKB-së për Kosovën, i kërkoi partnerëve ndërkombëtar që fokusi të jetë në ndalimin e mbështetjes së Serbisë për aktivitetet terroriste kundër Kosovës, duke i nxitur ata që të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit të fundit terrorist dhe t’i dorëzojnë terroristët e përfshirë.

Sipas saj, Kosova nuk do t’i jap Serbisë instrumente përmes të cilave ata mund të shkatërrojnë jetët e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe përpiqen të zbehin vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin tonë territorial.

“Konfirmoj se ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë për serbët në Kosovë, por nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes të cilave ata mund të shkatërrojnë jetët e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe përpiqen të zbehin vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Zonja dhe zotërinj, Kosova, dikur simbol i vuajtjeve për shkak të luftës gjenocidale të Millosheviçit, është shfaqur sot si një shembull i ndritshëm i demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.

Ajo ka përmendur edhe raportet dhe publikimet ndërkombëtare, të cilat kanë theksuar vazhdimisht progresin e jashtëzakonshëm demokratik të Kosovës.

“Lutja jonë është e qartë dhe e palëkundur: Kosova ka nevojë për garanci thelbësore të sigurisë brenda kornizës së sigurisë euroatlantike. Ndërsa ecim përpara, ne duhet të fokusohemi në ndalimin e mbështetjes së Serbisë për aktivitetet terroriste kundër Kosovës, duke i nxitur ata që të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit të fundit terrorist dhe të na dorëzojnë terroristët e përfshirë. Për më tepër, rritja e sigurisë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë dhe miratimi i masave të qarta kundër lidershipit të Serbisë si pengesë”, tha ajo.

Ajo theksoi se parlamenti qeveria jonë, çdo institucion e çdo shtëpi në Republikën e Kosovës është plot me të mbijetuar të krimeve të tmerrshme, por të gjithë të përkushtuar dhe duke punuar për paqen.

“Ky jemi ne, një komb i të mbijetuarve që lulëzon, një komb i përkushtuar ndaj paqes, sepse kemi parë të kundërtën e saj, një komb i përkushtuar ndaj demokracisë sepse ne kemi jetuar të kundërtën e saj, dhe një komb që është gati të paguajë çdo çmim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

SHARE