GUTERRES: SITUATA GLOBALE ËSHTË E PAQËNDRUESHME

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi udhëheqësit botërorë se mosndëshkimi, pabarazi, paqartësia po krijojnë një “botë të paqëndrueshme”, ku një numër në rritje i shteteve besojnë se mund të kalojnë pa u ndëshkuar.

“Nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha ai gjatë debatit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku po marrin pjesë presidentë, kryeministra, monarkë dhe udhëheqës të tjerë.

Duke përmendur thellimin e ndarjeve gjeopolitike, luftërat, ndryshimet klimatike e armët bërthamore, ai tha njerëzimi “po shkon drejt të paimagjinueshmes – një fuçi baruti që rrezikon ta përfshijë botën”.

Por, tha ai, “sfidat që ne përballemi mund të zgjidhen” nëse komuniteti ndërkombëtarë përballet me rreziqet e paqëndrueshmërisë, pabarazisë, padrejtësisë dhe mosndëshkimit, që tha se minojnë ligjin ndërkombëtar dhe parimet themeltare të OKB-së.

Nisja e takimeve të udhëheqësve botërorë në OKB po ndodh në kohën kur në botë janë rritur ndarjet, po zhvillohen luftëra në Gazë, Ukrainë e Sudan, dhe ka rrezik edhe për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Në fjalim, ai paralajmëroi se Libani, ku Izraeli ditëve të fundit ka kryer sulme vdekjeprurëse ajrore, nuk duhet “të shndërrohet në një Gazë të re”.

Ndërkaq, Guterres gjatë një fjalimi në “Samitin e të ardhmes” të mbajtur të dielën, tha se konfliktet në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan, por edhe sistemi i sigurisë globale po “kërcënohen nga ndarjet gjeopolitike dhe zhvillimet e armëve të reja”.

Në punimet vjetore të OKB-së, merr pjesë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, që me gjasë do të jetë pjesëmarrja e madhe e tij e fundit në skenën botërore.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve javën e kaluar se në punimet e OKB-së, SHBA-ja do të fokusohet në dhënien fund të luftërave në botë.

SHARE