SHBA: SIGURIA E QYTETARËVE MBI TË GJITHA

Shtetet e Bashkuara shprehën “shqetësim për ashpërsimin e retorikës” në lidhje me fronizimin e kryepeshkopit Joanikije në Cetinë,  dhe u bëri thirrje të gjithëve në Mal të Zi që të punojnë për të qetësuar tensionet. “Ne inkurajojmë autoritetet malazeze dhe Mitropolinë e Malit të Zi dhe të Kishës Ortodokse Serbe që të bashkëpunojnë ngushtë në vendin e kurorëzimit të Mitropolitit të sapozgjedhur Joanikije, dhe që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha,” tha një zëdhënës anonim i Departamentit të Shtetit. Departamenti i Shtetit vlerëson gjithashtu se Mali i Zi “është njohur prej kohësh si një vend i larmishëm dhe tolerant” dhe se të gjithë “qytetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre për të respektuar këtë traditë krenare”. “Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, qytetarëve, udhëheqësve politikë dhe fetarë, të punojnë në qetësimin e tensioneve,” tha një zëdhënës i Sekretariatit Shtetëror. “Shtetet e Bashkuara mbështesin lirinë fetare, përfshirë të drejtën e individëve për të praktikuar fenë e tyre lirshëm.  Në të njëjtën kohë, ata gjithashtu mbështesin lirinë e shprehjes, përfshirë të drejtën për tubim paqësor,“ thuhet nga ky departament.

SHARE