Ndër gratë shqiptare që japin një kontribut të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj është edhe Lule Lulgjuraj, mësuese e ciklit të ulët, e njohur për përkushtimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës kombëtare.
Puna e saj në arsim shkon përtej procesit të zakonshëm mësimor. Përmes aktiviteteve të shumta edukative, kulturore dhe artistike, ajo angazhon vazhdimisht nxënësit në njohjen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare. Në klasën e saj, fëmijët jo vetëm që mësojnë shkrim e lexim, por edhe njihen me zakonet, festat tradicionale, këngët, vallet dhe elementët e kulturës shqiptare që janë pjesë e identitetit tonë.
Përkushtimi i Lule Lulgjurajt është vërejtur edhe gjatë xhirimeve të emisioneve të ndryshme televizive, ku ajo ka qenë protagoniste së bashku me nxënësit e saj. Në këto aktivitete është parë qartë mënyra se si ajo i motivon fëmijët të marrin pjesë me dëshirë në projekte kulturore dhe edukative, duke i bërë ata pjesë aktive të ruajtjes dhe promovimit të traditës shqiptare.
Falë energjisë, kreativitetit dhe dashurisë për profesionin, ajo ka arritur të krijojë një mjedis të ngrohtë dhe frymëzues për nxënësit. Aktivitetet që organizon gjatë vitit shkollor u japin fëmijëve mundësinë të zhvillojnë talentet e tyre, të forcojnë njohuritë për kulturën shqiptare dhe të krenohen me identitetin e tyre.
Lule Lulgjuraj është shembull i mësueses që edukon me zemër dhe që e kupton se ruajtja e gjuhës dhe kulturës fillon që në bankat e shkollës. Përmes punës së saj të palodhur, ajo po jep një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj, duke mbjellë tek ata dashurinë për gjuhën shqipe, traditën dhe vlerat kulturore që na identifikojnë si komb.
Puna dhe angazhimi i saj dëshmojnë se arsimi është një nga shtyllat më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe se mësueset si Lule Lulgjuraj meritojnë vlerësim të veçantë për kontributin e tyre në shoqëri.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /











