Bashkimi Evropian ka konfirmuar gatishmërinë e tij për t’i dhënë Bosnje e Hercegovinës statusin e një kandidati për anëtarësim të plotë në BE. Shtetet anëtare i kërkuan Komisionit Evropian (KE) të përgatisë një raport të ri mbi procesin e reformave në vend, pas të cilit BE do të jetë gati të shqyrtojë mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit. “Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i japë Bosnjë dhe Hercegovinës statusin e një vendi kandidat dhe, për këtë qëllim, i bën thirrje Komisionit (Evropian) që t’i raportojë pa vonesë Këshillit të BE-së mbi zbatimin e 14 prioriteteve kryesore të përcaktuara në opinion “, thuhet në konkluzionet e miratuara pas takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së më 23 qershor. Burime diplomatike në Bruksel kanë konfirmuar se me kandidaturën e Sarajevës do të merret Presidenca çeke, e cila do të ketë mandat nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti. Këto burime konfirmuan, gjithashtu, se presin një reagim relativisht të shpejtë nga KE-ja në mënyrë që liderët evropianë të trajtojnë çështjen e statusit kandidat për Bosnje e Hercegovinën dhe, nëse është e mundur, të vendosin sa më shpejt që të jetë e mundur në samitin e rregullt që do të mbahet në tetor dhe në mbledhjen e dhjetorit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.