Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë përkohësisht pas dështimit të zgjedhjes së kandidates së PDK-së, Vlora Çitaku, për nënkryetare të Kuvendit.
Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar me 100 vota, ndërsa Çitaku mori vetëm 44 vota, duke mos arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
LVV-ja deklaroi se nuk do të votojë kandidatë që, sipas saj, synojnë ta çojnë vendin në zgjedhje, por u shpreh e gatshme të mbështesë një kandidat tjetër.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, akuzoi Vetëvendosjen se po e thellon krizën politike dhe paralajmëroi se partia e tij do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se kandidati i saj për nënkryetar, Kujtim Shala, nuk gëzon mbështetjen e LVV-së.
Më herët, Kuvendi vendosi me 71 vota që pesë nënkryetarët të zgjidhen veçmas dhe jo në një votim të përbashkët. Përplasjet mes partive rreth kandidatëve dhe mënyrës së votimit po e vështirësojnë edhe më tej konstituimin e plotë të Kuvendit.
Përfundimi i këtij procesi është kusht për formimin e Qeverisë së re dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit.
Meqë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit tashmë ka kaluar, bllokada e re ka rritur shqetësimet për një krizë të mëtejshme institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.





