Gjatë festave janë mbyllur dy dyqane, ndërsa Inspeksioni i Tregut dhe i Punës ka lëshuar 42 urdhëra kundërvajtës prej 27.900 euro, njoftoi Drejtoria për Çështje të Inspektimit.
Gjatë festës kombëtare “Dita e Pavarësisë”, inspektorët e Inspeksionit të Tregut kanë kryer kontrolle të shtuara në territorin e gjithë Malit të Zi.
“Gjatë datave 21 dhe 22 maj janë kryer 18 kontrolle gjatë të cilave janë konstatuar 9 parregullsi dhe janë lëshuar 14 urdhëra për kundërvajtje në vlerë të përgjithshme prej 5.200 euro”, thonë nga Drejtoria për Çështje të Inspektimit.
Sipas deklaratës së tyre, Inspeksioni i Tregut ka mbyllur dy objekte afariste që kanë funksionuar gjatë festës kombëtare, si dhe janë evidentuar dhe sanksionuar në përputhje me ligjin dy dyqane suveniresh që kanë funksionuar pa leje pune.
Siç theksojnë ata, gjatë kësaj periudhe edhe Inspeksioni i Punës ka kryer mbikëqyrje të shtuar dhe me atë rast ka kryer 56 kontrolle inspektuese, ku janë konstatuar 25 parregullsi, për të cilat janë lëshuar 28 vendime kundërvajtëse në vlerë të përgjithshme prej 22.700 euro dhe janë paraqitur 6 kërkesa për fillimin e procedurës për kundërvajtje.