Foto: AA
Presidenti Donald Trump paralajmëroi mund të rivendosë tarifa “reciproke” mbi disa vende brenda dy ose tre javësh, një ripërshkallëzim i mundshëm i luftës tregtare globale që tashmë ka ngritur frikën për një recesion global.
“Në fund, mendoj se ajo që do të ndodhë është se ne do të kemi marrëveshje të shkëlqyera dhe meqë ra fjala, nëse nuk kemi një marrëveshje me një kompani apo një vend, ne do të vendosim tarifën”, tha Trump në Zyrën Ovale.
Në 9 prill, presidenti amerikan ndaloi tarifat masive të ashtuquajtura reciproke për 90 ditë për të lejuar kështu vendet të negociojnë me administratën.
Zyrtarët e Trump kanë thënë se rreth 90 deri në 100 vende janë ofruar për të negociuar marrëveshje, duke vendosur në një detyrë jashtëzakonisht të vështirë negociatorët e tregtisë që duhet të garojnë kundër kohës për të marrë angazhime të reja.
Pa këto marrëveshje të negociuara, Trump mund të vendosë tarifat e tij ndaj vendeve që rriten deri në 50% – me përjashtim të Kinës, për të cilën administrata Trump vendosi tarifën 145%.
Nuk është e qartë se çfarë tarifash të reja do të vendosë Trump për vendet që nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme – dhe nëse ato tarifa të reja do të zëvendësojnë përgjithmonë tarifat e ndërprera reciproke ose thjesht do të shërbejnë si një tarifë e përkohshme ndërsa negociatat vazhdojnë.
Qëndrimi i Trump për tarifat ka shkaktuar pasiguri për bizneset dhe konsumatorët.
Gjithashtu ka tronditur tregjet, duke bërë që aksionet dhe aktivet amerikane të bien.