MINISTRAT MIRATOJNË NISJEN E BISEDIMEVE EVROPIANE PËR SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË E VERIUT

Këshilli i Çështjeve të Brendshme i Bashkimit Evropian miratoi të martën hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi u mor gjatë një takimi ministror, i cili u organizua në format të telekonferencës për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, shkroi në Twitter se, më në fund, është dhënë drita e gjelbër për nisjen e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin. Këtë vendim e konfirmoi edhe komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili tha se është marrë vendimi politik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende. “I uroj sinqerisht të dyja vendet”, shkroi ai në Twitter. Pas këtij vendimi të ministrave të BE-së, vulën përfundimtare duhet ta japin shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së. Samiti i rregullt, i cili është dashur të mbahet më 26 dhe 27 mars, është shtyrë për shkak të situatës me koronavirus, por udhëheqësit do të marrin pjesë në një video-konferencë, ku po ashtu do të diskutojnë për masat kundër koronavirusit. Në tetor të vitit të kaluar, Franca e ka bllokuar vendimin pozitiv për Tiranën e Shkupin, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga to, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së. Për rrjedhojë, javë me parë është paraqitur metodologjia e re e zgjerimit të BE-së.

SHARE