NIKOLLË CAMAJ, DEPUTETI I PARË SHQIPTAR NGA MALI I ZI, NË ASAMBLENË E KËSHILLIT TË EVROPËS

Deputeti i Forumit Shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, është deputeti i parë shqiptar nga Mali i Zi, i cili po qendron zyrtarisht në Asamblenë e Këshillit të Evropës, në Strasbourg.

„Qendrimi në Strasbourg është një rast i mirë për të takuar vendimarrësit nga rajoni dhe krejt Evropa, për të njoftuar njerëz, për të shkëmbyer mendime, por edhe për të krijuar rrjetizime influencuese, për të ndikuar në arritjen e asaj që synojmë, e ku e kemi vendin, sidomos kur qendrimi është zyrtar, në cilësinë e anëtarit të Asamblesë. Përndryshe, jam shqiptari i parë nga Mali i Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku jam edhe anëtar i Komisionit për kulturë, shkencë, arsim dhe medie, si dhe anëtar i grupit politik ALDE…,“ thuhet në postimin e Camajt.

Në margjinat e këtij takimi Camaj pati rastin që të bisedoj edhe me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që pritet të realizohet në seancën e radhës.

Camaj theksoi që në darkën që shtruan deputetja Saranda Bogujevci dhe Konjufca ishin prezent të gjithë shqiptarët nga rajoni, dhe shtoi se ky takim ishte një rast i mirë për t’u njoftuar dhe për të planifikuar aktivitete të përbashkëta, natyrisht edhe për t’i njoftuar me situatën e shqiptarëve në Malin e Zi.

Në fund, deputeti Camaj veçoi se një natë më parë, për nder të anëtarëve nga Mali i Zi, një darkë e shtroi edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili dje e pati fjalën në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

SHARE