BE PROPOZON MASA KUNDËR DEZINFORMIMIT NË PRAG TË ZGJEDHJEVE

Josep Borrell Fontelles

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, prezantoi raportin e Shërbimit të veprimit të jashtëm (EEAS) lidhur me fushatat e ndërhyrjes së huaj dhe dezinformimit, me qëllim të ndikimit në proceset zgjedhore.

Borrell tha më 23 janar se ky raport vjen në një kohë të ndjeshme dhe të rëndësishme, pasi këtë vit në shumë vende të botës, përfshirë edhe në BE dhe Shtetet e Bashkuara do të ketë procese zgjedhore.

Me këtë raport, Borrell ka propozuar edhe masa që duhet të ndërmerren për të parandaluar ndikimet negative në proceset demokratike nga faktorët që kanë për qëllim manipulimin dhe dezinformimin.

Gjatë paraqitjes së raportit, shefi i diplomacisë së BE-së tha se kërcënimi nga ndikimet e huaja në botën moderne janë kërcënime gjithnjë e më të mëdha, të cilat duhet të merren seriozisht.

“Ka bomba që mund të vrasin, helme që mund t’iu helmojnë, por si të adresohet manipulimi dhe ndërhyrja në fushatë, është sfidë e madhe”, tha ai, duke shtuar se Rusia në mënyrë të sofistikuar dhe në përmasa industriale për vite është angazhuar në fushata të dezinformimit.

“Jemi të ndjeshëm ndaj këtij kërcënimi sepse informatat dhe dezinformatat përhapen me shpejtësinë e dritës”, tha ai.

Borrell veçanërisht përmendi shtetet e Ballkanit Perëndimor si “viktima” të sulmeve të tilla manipuluese.

Raporti i BE-së për fushatat e dezinformimit dhe manipulimit vjen në prag të mbajtjes së zgjedhjeve në disa shtete.

Afër 400 milionë qytetarë të Evropës do të votojnë mes 6 dhe 9 qershorit në zgjedhjet evropiane për të zgjedhur deputetët e rinj të Parlamentit Evropian. Nga ky votim do të varet edhe ndarja e posteve në funksionet kyçe në institucionet e BE-së.

Si aktorët kryesorë të cilët me qëllim përfshihen në fushata të ndërhyrjes dhe manipulimit përmenden Rusia dhe Kina të cilat, sipas BE-së, me qëllim keqpërdorin kanalet e komunikimit për të përhapur dezinformata.

Qëllimi i tyre është që të ndikojnë në krijimin e ndasive në shoqëri, të dëmtojnë institucionet demokratike apo thjesht kanë qëllime ekonomike, tha blloku evropian.

Raporti i njësive të posaçme të BE-së që merren me këtë çështje ka identifikuar 750 incidente vetëm në rastet që i ka përcjellë gjatë një periudhe njëvjeçare, përkatësisht nga nëntori i vitit 2022 deri në dhejtor të vitit 2023.

Cak i ndërhyrjeve të tilla kanë qenë organizatat ndërkombëtare, shtetet e caktuara, por edhe individët. 

SHARE