Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se Bashkimi Evropian (BE) duhet të ketë prioritet integrimin e Ballkanit Perëndimor në union dhe se ata nuk mund të lejojnë që ky rajon të qëndrojë jashtë BE-së për një kohë të gjatë. Në Trieste të Italisë u mbajt Konferenca “Itali-Ballkani Perëndimor”, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Italisë me qëllim afrimin e politikës dhe botës së biznesit italian me Ballkanin. Në video-mesazhin që dërgoi në konferencë, kryeministrja Meloni tha: “Si një vend fqinj, Italia e di shumë mirë rëndësinë jetike që ka ky rajon për të ardhmen e të gjithë Evropës. Ne e dimë nga përvoja se gjithçka që ndodh përtej Adriatikut na prek menjëherë neve”. Duke theksuar se dinamikat aktuale në botë si Lufta Rusi-Ukrainë e bëjnë të nevojshme këtë konferencë, Meloni tha: “Evropa ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit. Është e nevojshme të rikonfirmojmë ndjenjën e përkatësisë së këtij rajoni ndaj botës dhe vlerave tona. Ky ishte edhe mesazhi im në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë të Shqipërisë”. Ajo u shpreh se nuk mund të mjaftohen vetëm me masa ekonomike për rajonin. “Është urgjente që BE-ja të vendosë një vizion të ri për këtë rajon dhe t’i japë përparësi zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund të lejojmë që kjo pjesë strategjike e kontinentit tonë të qëndrojë jashtë shtëpisë së përbashkët evropiane për një kohë të gjatë”, deklaroi ajo. Kryeministrja Meloni theksoi se rajoni është i rëndësishëm edhe për sigurinë e tyre kombëtare dhe shtoi se “siguria dhe rritja e të gjithë popujve në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për interesat kombëtare të Italisë”. “Qëllimi i kësaj qeverie është të çojë Italinë edhe më tej në Ballkan. Kjo konferencë është një organizim që do të rifillojë interesin e Italisë në rajon. Kompanitë tona tashmë janë në rajon dhe kanë një rol udhëheqës, por ne duhet të rinovojmë këtë prani dhe të investojmë në sektorë strategjikë”, tha Meloni.