ABAZOVIQ: PRES QË ISH PUNËTORËT E HEKURANËS TË PUNËSOHEN DERI MË 1 SHKURT

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq tha sot se pret që të gjithë ish punëtorët e uzinës së përpunimit të hekurit në Nikshiq të punësohen deri më 1 shkurt. Abazoviq ka biseduar sot me përfaqësuesit e ish-punëtorëve të kësaj kompanie. Gjatë takimit u bisedua poashtu se çfarë është bërë në procesin e blerjes së Hekuranës në Nikshiq. Me këtë rast, Abazoviq i përgëzoi punëtorët për luftën këmbëngulëse të tyre duke theksuar se ata janë më meritorët për ruajtjen e kësaj uzine, duke shtuar se është i kënaqur që blerja e Hekuranës është në përfundim e sipër dhe pret që ky proces të përfundojë sa më parë, duke theksuar se ai ka besuar në një përfundim të suksesshëm të këtij procesi që në fillim. Përfaqësuesit e punëtorëve shprehën mirënjohje për atë që është arritur deri tani dhe deklaruan se presin përfundimin sa më të shpejtë të procesit të punësimit të të gjithë punëtorëve në formatin e riformuar të Shoqërisë aksionare të Elektroekonomisë, respektivisht Hekuranës së re në Nikshiq.

Kurse sot organizata sindikale e Institutit, “dr. Simo Millosheviq”, organizoi në Meline protestë lidhur me situatën në këtë kompani. Protestuesit kërkuan që shteti të mbajë shumicën e pronësisë në Institut, sepse, siç deklarojnë ata, ky institucion nuk është kompani që prodhon humbje e që kërkon ndihmë nga shteti. Punëtorët e këtij Institutit, të cilët protestuan, kanë thënë sot se ky institucion duhet të mbetet në pronësi të shtetit dhe se nuk kërkojnë ndihmë të pakompensuar, por avans që do t’i ndihmonte në tejkalimin e problemeve aktuale.

SHARE