KURTI RA NË KURTHIN E SERBISË / KRITIKA QEVERISË, PËR MENAXHIMIN E SITUATËS NË VERI

Deputetë të partive opozitare, në një seancë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar qeverinë për menaxhimin e situatës në veri të vendit. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, u tregua i ashpër me qeverinë për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ku rrugët janë të bllokuara prej dy javësh. Ai tha se situata në katër komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe, është jashtë kontrollit “për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se veprimet e qytetareve serbë në veri, të sponsorizuara nga Serbia “nuk e trembin dhe nuk kanë kurrfarë efekti për Kosovën”. Ai i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të dalë nga “kurthi” që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka ngritur. Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën që humbi dekada më parë”. Aliu tha se situata e tanishme nuk do të tolerohet pafundësisht.

SHARE