DUKAJ: NUK KA DIGJITALIZIM PA SIGURI KIBERNETIKE

Projektligji për sigurinë e informacionit do të jetë gati deri në fund të vitit, i cili parasheh themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj. Dukaj në emisionin “Mirëmëngjesi Mali i Zi” në TVMZ tha se nuk mund të vendosim digjitalizimin e administratës publike nëse nuk ka siguri kibernetike. “Mali i Zi nuk ka mbrojtje 24 orëshe, nuk ka një Agjenci të Sigurisë Kibernetike, një qendër të dhënash shtetërore. Ministria e Administratës Publike ka përcaktuar disa qëllime, duke e ditur se qeveria e pakicës nuk do të zgjasë shumë dhe se ne nuk mundemi të arrijmë ndonjë gjë në një periudhë të shkurtër dhe duke e ditur situatën politike”, tha Dukaj. Pas sulmit kibernetik, të gjitha sistemet, faqet e internetit dhe emailet janë tashmë funksionale. Ministri Dukaj bëri të ditur se është planifikuar të rritet paga e ekspertëve të IT-së. “Shpresoj që deri në fund të vitit qeveria të marrë vendim që të gjithë personat që punojnë në sektorin e IT-së t’ua rrisë pagën për 30 për qind dhe në këtë mënyrë t’i motivojë që të qëndrojnë në institucionet shtetërore”, tha Dukaj. Ministri njoftoi se është formuar një ekip ekspertësh për të analizuar vetëqeverisjet lokale dhe se një nga qëllimet e Ministrisë së Administratës Publike është decentralizimi. “Do të jetë një temë serioze për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Komunat duhet të kenë autonomi më të madhe. Për qytetarët që jetojnë në to, komunat janë Qeveria dhe duhet të kenë mundësi të përfundojnë gjënë më të rëndësishme në mjedisin e tyre”. Ai gjithashtu bëri të ditur se Ligji për Qeverinë do të jetë gati shumë shpejt.

SHARE