BE, E PËRÇARË PËR LINDJEN E MESME: RAJONI NË FLAKË, BLLOKU S`KA UNITET

Konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon përshkallëzimin, por Bashkimi Europian ende nuk ka një pozicion të njehsuar për situatën atje.

Ministrat e Jashtëm të bllokut takohen në Luksemburg me në fokus bilancin kritik të asaj çfarë është bërë deri tani dhe linjës që do të ndiqet në vazhdimësi. Politika e BE në drejtim të Lindjes së Afërt prej dy javësh të krijon përshtypje kaotike, të duket se është e përcaktuar më shumë nga interesat kombëtare dhe qëllimet personale, thonë ekspertët.

Fill pas sulmit të Hamasit në 7 tetor, komisioneri i BE për ndihmat shpalli ndalimin e ndihmës së zhvillimit për palestinezët. Edhe pse kjo më pas u korrigjua shpejt, ideja e moskoordimit dhe mosthellimit në gjykim, nisi të formësohej. Më pas shpërthyen kritika ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen se vendosi theksin e gabuar me vizitën e solidaritetit në Izrael, për të cilin tha se ka absolutisht të drejtën të vetëmbrohet.

Ishte kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell, ai që e përshkroi në thelb evakuimin e urdhëruar nga Izraeli të banorëve të Gazës si shkelje të së drejtës  ndërkombëtare. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel e shikon situatën aktuale si një sfidë personale. Ai prej kohësh shikon tek von der Leyen një konkurrente personale, dhe ka kërkuar që krizën në Lindjen e Mesme ta marrin në dorë vendet anëtare. Luftërat personale të të dy krerëve të BE nuk janë e vetmja vatër e trazuar në BE.

Edhe qeveritë e vendeve të BE nuk janë në një qëndrim. Nga njëra anë janë vendet që tradicionalisht kanë mbajtur anën e palestinezëve, si Belgjika dhe Luksemburgu, por edhe vende të mëdha si Spanja apo Irlanda. Ndërsa në krye të shteteve të palëkundura në përkrahjen për Izraelin janë Gjermania, Austria e Hungaria.

SHARE