VON DER LEYEN NË MAL TË ZI MË 29 TETOR

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen do të jetë në Mal të Zi të shtunën, më 29 tetor, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit. Leyen e paralajmëroi vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor gjatë Samitit të komunitetit politik evropian në Pragë në fillim të këtij muaji, kur tha se Ballkani Perëndimor është “pjesë integrale e familjes evropiane”. Vizita e presidentes të Komisionit Evropian në rajon bëhet dy javë pasi institucioni evropian publikoi një raport progresi për të gjashtë vendet, i cili ofronte një vlerësim të detajuar dhe udhëzime të qarta që u mundësojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor të identifikojnë se ku kanë nevojë për të ecur më shpejt në reforma për të arritur progres. Për Malin e Zi, Komisioni theksoi përmbushjen e të ashtuquajturave standarde të përkohshme në kapitujt mbi sundimin e ligjit si prioritet për përparimin e mëtejshëm të përgjithshëm. Për të arritur këtë qëllim, Mali i Zi duhet të adresojë çështje të hapura, duke përfshirë reformat në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimin e funksionalitetit dhe besueshmërisë së gjyqësorit. Para mbërritjes në Podgoricë, presidentja e KE do të vizitojë Shkupin, Prishtinën, Tiranën, Sarajevën dhe Beogradin.

SHARE