KONSTITUOHET KUVENDI I MALIT TË ZI, BEÇIQ ZGJIDHET KRYETAR I KUVENDIT

Sot në Mal të Zi është konstituuar përbërja e re e kuvendit në të cilin shumicën do ta kenë tre koalicionet: “Për të ardhmën e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë”, të drejtuara nga Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq.

Seanca konstituive filloi me intonimin e himnit kombëtar, dhe në këtë ceremoni nuk morën pjesë disa anëtarë të Frontit Demokratik, megjithatë, udhëheqësi i listës “Për të Ardhmën e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, me deputetët dhe mysafirë të tjerë të pranishëm respektuan himnin kombëtar.

Pas verifikimit të mandateve të deputetëve të përbërjes së re të kuvendit, kryesuesi, Miodrag Lekiq tha ndër të tjera, se për herë të parë ka pasur një ndryshim të qeverisë dhe transferim paqësor të pushtetit.

Ai tha se nuk do të ketë asnjë revanshizëm në lidhje me qeverinë e mëparshme dhe këmbënguli në dinjitetin dhe pavarësinë e kuvendit si institucion.

Deputeti Boris Bogdanoviq, në emër të shumicës së re parlamentare, propozoi që deputeti nga Demokratët Aleksa Beçiq të zgjidhet Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Aleksa Beçiq nga rradhët e Demokratëve është zyrtarisht Kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi.

Zgjedhja e tij u mbështet nga deputetët nga tre koalicionet “Për të Ardhmën e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë”, “E zeza mbi të bardhë”, Partia Boshnjake si dhe “Lista shqiptare” e kryesuar nga Nik Gjeloshaj.

Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Social Demokratët dhe Partia Social Demokrate e Malit të Zi dhe deputeti i Koalicionit Shqiptar “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka abstenuan, ndërsa Partia Liberale ka votuar kundër.

Beçiq mori fjalën e rastit ku ndër të tjera tha se “është një nder i papërshkrueshëm të zgjidhesh kryetar i organit më të lartë legjislativ,” tha ai.

Beçiq, falënderoi deputetët për konstitutimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe për besimin që ia dhanë, e sidomos falenderoi për përkrahjen e dhënë deputetët e Partisë Boshnjake dhe deputetin e Listës Shqiptare.

Ndërsa, mandatar për Kryeminister të Qeverisë së MZ, u propozua që të jetë Zdravko Krivokapiq, i cili ishte bartës i listës së koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.

SHARE