FORUMI SHQIPTAR, ALEANCA SHQIPTARE DHE PARTIA BOSHNJAKE DO TË JENË PJESË E QEVERISË SË RE TË MALIT TË ZI

Forumi Shqiptar ka pranuar që të jetë pjesë e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, deklaroi bartësi i listës së Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj.

Sipas Gjeloshaj gjatë negociatave, Forumi Shqiptar arriti të përmbushë programin e tij sipas të cilit do të kenë decentralizim, bastoret dhe kazinot do të vendosen në sistem krejtësisht ndryshe nga ajo që janë tani deri në mbyllje totale dhe që do të sigurojnë pension të pleqërisë për të gjithë qytetarët.

Njëkohësisht, Forumi Shqiptar do të participojë edhe në qeveri, duke marrë përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit për Investime Kapitale dhe ministrit të Administratës Publike.

“Si gjithmonë, ne do të punojmë në interes publik, për avancimin e programit tonë, barazinë e të gjithë qytetarëve dhe kombeve, dhe veçanërisht në ngritjën ekonomike të të gjithë qytetarëve,“ shkruan Gjeloshaj.

Koalicioni i Aleancës Shqiptare do të jetë pjesë e qeverisë së re të Milojko Spajiqit, konfirmoi TVMZ.

Nga ai koalicion nuk kanë dashur të flasin për detajet e marrëveshjes me mandatarin, duke theksuar se detajet se cilat portofole do t’u shkojnë subjekteve politike, do t’i shpallë individualisht Spajiq.

Bordi Kryesor i Partisë Boshnjake mbrëmë njëzëri ka përkrahur propozimin e Kryesisë së partisë që PB të jetë pjesë e Qeverisë së 44-të, të mandatuar nga Millojko Spajiq.

“Në mbledhjen e Bordit Kryesor u tha se mandatari Millojko Spajiq ka respektuar dhe pranuar parimet programore të PB-së, mbi të cilat do të mbështetet puna e Qeverisë së ardhshme. Përmes pjesëmarrjes në qeveri, Partia Boshnjake do të vazhdojë të promovojë politikat e integrimit euroatlantik, zhvillimin e balancuar rajonal, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimin e standardeve të qytetarëve, si dhe përmirësimin e të drejtave të pakicave,” thuhet në njoftimin e Partisë Boshnjake.

SHARE