Tetë vjet pas hyrjes në fuqi të standardeve për kontrollin e ndotjes së ajrit sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, emetimet nga termocentralet me qymyr në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi mbeten 6.6 herë mbi kufijtë e lejuar, thuhet në raportin e ri të Bankwatch-it, “Përputhu ose mbyll”.
Sipas raportit, emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) vazhdojnë të jenë shumë të larta, ndërsa ndotja nga pluhuri në vitin 2025 arriti nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave në vitin 2018.
Bosnja dhe Hercegovina ishte emetuesi më i madh i SO₂ me 196.940 tonë, ose 12.7 herë mbi kufirin e lejuar, e ndjekur nga Serbia me 177.756 tonë. Ndotësi më i madh individual mbetet termocentrali Uglevik në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili emetoi 115.079 tonë SO₂, pavarësisht se disponon pajisje për desulfurizim.
Ndërkohë, termocentrali i Manastirit në Maqedoninë e Veriut dyfishoi emetimet e pluhurit krahasuar me vitin 2024, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e ndotjes në rajon. Emetimet e oksideve të azotit ishin gjithashtu 1.4 herë mbi kufijtë ligjorë, ndërsa ndotësi më i madh ishte termocentrali Nikolla Teslla B në Serbi.
Sa i përket Malit të Zi, termocentrali i Plevlës ishte jashtë funksionit pjesën më të madhe të vitit 2025 për shkak të rikonstruksionit, por ende nuk ka dëshmi se përmbush standardet e ndotjes që do t’i lejonin vazhdimin e punës.
Raporti thekson se, pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme, qeveritë e rajonit nuk kanë vendosur sanksione ndaj termocentraleve dhe nuk kanë plane të qarta për përputhje me rregullat ose mbylljen e tyre. Situata bëhet edhe më sfiduese pas hyrjes në fuqi të mekanizmit evropian CBAM, i cili rrit kostot e eksportit të energjisë së prodhuar nga qymyri.









