OBSH-ja KONSIDERON SHPALLJEN E LISË SË MAJMUNIT, NJË “EMËRGJENCË GLOBALE”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të vendosë të enjten, nëse do ta shpallë linë e majmunëve një emergjencë shëndetësore globale, duke nxitur kritika nga shkencëtarët afrikanë që shprehen se kjo sëmundje përbën prej vitesh një krizë shëndetësore në kontinentin e tyre. Diskutimet dhe shqyrtimi i përgjigjes së OBSH-së ndaj shpërthimit të sëmundjes pasojnë shqetësimet se si agjencia e Kombeve të Bashkuara dhe qeveritë në mbarë botën trajtuan COVID-19 në fillim të vitit 2020. Një “emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar” është niveli më i lartë i alarmit të OBSH-së. Agjencia nuk deklaroi pandemi, por filloi të përdorë termin për të përshkruar COVID-19 në Mars të 2020-s. Për shumë qeveri në mbarë botën, ky moment ishte çasti kur ata filluan të ndërmerrnin masa për të përmbajtur sëmundjen, çka rezultoi të ishte tepër vonë për të bërë ndryshim. Lija e majmunëve nuk përhapet aq shpejt sa COVID dhe për këtë sëmundje ekzistojnë tashmë vaksina dhe medikamente për trajtimin e saj, por sërish ka rritur alarmin në mbarë botën. Numri i të prekurve jashtë kontinentit afrikan ka arritur në 3000 raste në më shumë se 40 vende, sipas agjencisë reuters, dhe më së shumti midis meshkujve që kryejnë marrëdhënie me meshkuj. Ende nuk ka raportime për raste vdekjeje. 

SHARE