PDS-ja FESTON 30 VJETORIN E THEMELIMIT

E ardhmja evropiane e Malit të Zi nuk mund të imagjinohet pa Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS), tha presidenti i partisë Millo Gjukanoviq, duke deklaruar se ata janë të gatshëm të zgjerojnë kapacitetin e koalicionit të partisë me të gjithë subjektet e tjera qëllimet e të cilëve janë paqja, prosperiteti, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi Euro-Atlantik. Në pritjen me rastin e 30 vjetorit të themelimit të kësaj partie, të mbajtur në Podgoricë, ai iu drejtua anëtarëve të shumtë të pranishëm, simpatizantëve dhe të ftuarve të tjerë. Gjukanoviq kujtoi me krenari të gjitha sukseset e arritura në tridhjetë vitet e fundit, dhe veçanërisht theksoi rivendosjen e pavarësisë, anëtarësimin në NATO dhe vendosjen e qartë të rrugës evropiane të shtetit, dhe shtoi se PDS si një parti shtetndërtuese ka qenë krijuesi i zhvillimit modern të Malit të Zi gjatë gjithë këtyre viteve. Gjukanoviq, duke iu referuar faktit se për herë të parë në historinë e saj, PDS e priti ditën e partisë si pjesë e opozitës, theksoi se ky subjekt tregoi kapacitet të plotë demokratik duke njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe duke pranuar tranzicionin e papenguar të pushtetit. “Kështu sillet partia shtetndërtuese. U deshën tre dekada që partia që humbi zgjedhjet të njohë rezultatet e zgjedhjeve me një ndryshim të vogël, dhe ne jemi veçanërisht krenarë për këtë,“ tha Gjukanoviq. Ai shtoi se ata nuk lejuan që pas ndryshimit të qeverisë, që të realizohen qëllimet ogurzeza të atyre që synonin të pengonin rrugën evropiane të Malit të Zi dhe mbijetesën e vendit. Gjukanoviq vuri në dukje se ishte bërë një punë e rëndësishme për të konsoliduar partinë pas zgjedhjeve parlamentare, por edhe se ende po punojnë pa u lodhur për t’u përgatitur për riorganizimin në nivelin lokal në mënyrë që të jenë të gatshëm për sfidat e ardhshme. “Ne jemi të gatshëm të zgjerojmë kapacitetin e koalicionit të partisë sonë, me të gjithë ata që synojnë një të ardhme pro-evropiane, paqe, prosperitet dhe bashkëpunim rajonal dhe integrimin euro-atlantik, sepse e ardhmja evropiane nuk mund të imagjinohet pa PDS,” tha ndër të tjera Gjukanoviq. Po ashtu, u prezantua një logo e re e partisë, dmth., një identitet vizual i ridizajnuar në tërësi. Duke folur për logon, si një simbol i përpjekjes për të arritur të gjitha qëllimet e partisë, Sekretari i Përgjithshëm i PDS-së Aleksandar Bogdanoviq renditi tre ide që janë përfshirë në programin e partisë dhe përfaqësojnë 3 shtyllat dhe atributet më të rëndësishme të shoqërisë malazeze: shoqëria e dijes, shoqëria e lirisë dhe shoqërinë e qytetarëve. Ai njoftoi prezantimin e afërt të një uebfaqës të re dhe shërbimit online.

SHARE