MINISTRI I JASHTËM GREK VIZITË NË SHQIPËRI

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Kryeministri Rama ka pritur në një takim në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë kryediplomatin grek pa praninë e mediave. Ndërkohë, pas takimit, Xhaçka dhe Dendias mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, kufizimit të zonave detare, ligjin e luftës që është ende në fuqi në Greqi dhe çështje të tjera. Ministrja Xhaçka tha se me ministrin Dendias shkëmbyem mendime në lidhje me përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi, të cilat sipas saj duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë midis dy popujve, “në respekt të interesave strategjike, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane”. Ministri Dendias theksoi se me homologen shqiptare kanë folur për raportet dypalëshe, zhvillimet ndërkombëtare, perspektivën evropiane të Shqipërisë, çështjet e energjetikës dhe luftën në Ukrainë. Kryediplomati grek u shpreh se Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se “perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është rrugë me një kalim, kryesisht në konjukturat e tanishme”.

SHARE