Rreth 660 fëmijë në Mal të Zi morën vaksinën BCG nga seria diskutabile, u bë e ditur në një konferencë për shtyp në Institutin për Shëndet Publik të Malit të Zi.
Mjekët do të monitorojnë gjendjen e fëmijëve që kanë marrë vaksinën diskutabile. Nga tregu malazez janë tërhequr paketat diskutabile të vaksinave BCG të Institutit të Virologjisë, vaksinat dhe serumet Torlak.
Prodhuesi TORLAK-Beograd e tërhoqi nga përdorimi serinë 2710822 për shkak të, siç thuhet, një devijimi të mundshëm në prodhim dhe se përgjigja e pritur imune në një numër jashtëzakonisht të vogël pacientësh mund të jetë jo e plotë.
Sekretarja shtetërore e Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Sllagjana Qoriq, në konferencën për media tha se në vaksinën kontestuese është vërejtur një numër i reduktuar i baktereve të gjalla dhe për këtë arsye efektiviteti i vaksinës mund të zvogëlohet.
“Dyshohet se fëmijët nuk do të kenë mbrojtje adekuate dhe nuk ka asnjë reagim tjetër të padëshiruar”, tha ajo.
Çdo prind do të njoftohet dhe mjekët janë në pritje të raporteve nëse fëmijët kanë nevojë për vaksinim shtesë.