VARHELI JAVËN E ARDHSHME NË MAL TË ZI

Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varheli do të vizitojë Malin e Zi më 27 dhe 28 shkurt, njoftoi Komisioni Evropian.

Gjatë takimeve në Podgoricë, Varheli do të diskutojë me zyrtarë malazezë për reformat dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Varheli gjatë Konferencës së fundit Ndërqeveritare me Malin e Zi tha se shpreson që me momentin e ri që vjen nga Podgorica të plotësohen shumë parakushte që Mali i Zi të bëhet realisht lider në procesin e negociatave.

Ai theksoi se për të arritur këtë qëllim, është e nevojshme të përmbushen standardet e përkohshme, të cilat kërkojnë reforma shtesë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë lirinë e mediave dhe rregullatorin e medias.

Me atë rast ai theksoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument që krijon mundësi të reja, por edhe një mekanizëm për përshpejtimin e integrimit edhe para anëtarësimit.

Kjo i referohet kryesisht integrimit gradual në tregun e vetëm, si dhe sigurimit të burimeve të nevojshme financiare për të përshpejtuar agjendën e reformave.

Varheli do të qëndrojë më pas në Shqipëri, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rritja dhe Konvergjenca për Ballkanin Perëndimor”.

SHARE