VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR, TË RËNDËSISHME PËR PRESIDENCËN FRANCEZE TË KËSHILLIT TË BE-së

Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me Institutin EPIK kanë organizuar tryezën me temën “Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”. Në këtë tryezë ku u shpalosën disa nga prioritetet franceze të udhëheqjes së Këshillit të BE-së, morën pjesë kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian e Kuvendit të Kosovës, ambasadori i BE-së në Kosovë, ambasadorja e Francës në Kosovë dhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe shoqërisë civile. Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi tha se Kosova para se të kërkojë ndihmë nga vendet e BE-së, duhet edhe t’i ndihmojë vetes me përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe në procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë. Ajo tha se komisioni të cilin e udhëheqë, do të jetë gjithmonë gardian i rrugës drejtë BE-së. “Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian është një mundësi ideale për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës. Para se të kërkojmë ndihmë nga të tjerët, duhet t’i ndihmojmë vetvetes. Unë jam e bindur se nëse gjatë këtyre gjashtë muajve vendi ynë bën progres të ndjeshëm në sundimin e ligjit dhe të dialogut me Serbinë, do të krijohen rrethana të favorshme për avancimin e rrugës tonë evropiane”, tha Krasniqi. Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog tha se Ballkani Perëndimor është prioritet për BE-në dhe siç është theksuar në samitin e fundit në Bërdo-Brijuni e ardhmja e këtij rajoni është drejt BE-së. “Prioriteti i parë është modeli i ri i rritjes së investimeve që synon të bashkojë zhvillimin ekonomik me ambicien klimatike. Këto dy elemente janë themeli për zhvillimin dhe prosperitetin edhe për të ardhmen e Kosovës”, tha Szunyog. Sipas tij, Kosova ka nevojë për ambicie të larta në këtë fushë për të lëvizur përpara drejtë integrimit në BE. Ai tha se inkurajojnë Kosovën që të punojë në dekarbonizim dhe në politika të gjelbra.

SHARE