RADONJIQ: ZYRTARË TË SHUMTË KANË MARRË KREDI NGA 20.000 EURO SECILI

Komisioni Administrativ i propozoi unanimisht Parlamentit të Malit të Zi heqjen e imunitetit të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) Predrag Boshkoviq, Dragica Sekuliq dhe Suzana Pribiloviq, si dhe deputetëve të Social Demokratëve (SD) Damir Shehoviq dhe Ivan Brajoviq për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare si pjesë e Komisionit Qeveritar për zgjidhjen e çështjeve të banimit. Përfaqësuesi i Prokurorisë, Vukash Radonjiq, duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve të cilëve kërkohet t’u hiqet imuniteti, ka bërë të ditur se Prokuroria konsideron se në këto raste ka baza të dyshimit dhe refuzon ta ndërlidhë procedurën me ndonjë subjekt politik. Ai tha se ky rast nuk është formuar vetëm në bazë të kallëzimit penal të Qeverisë, por është formuar në shtator të vitit 2019 në bazë të raportit të një OJQ-je. Duke kujtuar se vendimi i shfuqizuar parashikonte se një zyrtari mund t’i jepej kredi për përmirësimin e kushteve të jetesës deri në 15 mijë euro, Radonjiq tha se ka arsye për dyshim se individëve u janë dhënë shuma më të mëdha parash. “Kemi 47 veta që kanë marrë 40 mijë euro, 10 që kanë marrë 25 mijë euro, kemi shumë që kanë marrë 20 mijë, disa 28 mijë, disa 35 mijë, disa 17,5 mijë”.

SHARE