Ndryshime të mëdha për sistemin e votimit të Eurovision Song Contest 2023 janë zbuluar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU).
Ndryshimet janë bërë për ta mbajtur ngjarjen “relevante dhe emocionuese”, thotë EBU.
“Natyra e paprecedentë e parregullsive në votim” e parë në Eurovision 2022, ku gjashtë juri mashtruan dhe votuan për njëra-tjetrën, ishin gjithashtu një argument për ndryshimet.
“Pjesa tjetër e botës” mund të votojë online
Shikuesit në vendet jo-pjesëmarrëse tani do të mund të votojnë në internet. Këto vota online do të kenë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës në të dyja gjysmëfinalet, si dhe në finalen e madhe.
Votimi online do të mund të bëhet vetëm nëpërmjet një platforme të sigurt online, duke përdorur një kartë krediti nga vendi i votuesit (vetëm vendet jo pjesëmarrëse).
Lista e plotë e vendeve të pranueshme do të publikohet afër kohës së ngjarjes.
Gjysmëfinalet: Vetëm votim publiku
Në dy gjysmëfinalet e Eurovision 2023, nuk do të ketë juri që vendosin rezultatet. Do të jetë vetëm votimi publik (tele/aplikacion/sms/online) që vendos se kush kualifikohet për finalen e madhe.
Juritë në çdo vend që marrin pjesë në gjysmëfinalen përkatëse do të vazhdojnë të votojnë. Por, ato vota do të përdoren vetëm nëse një televotë e vlefshme nuk regjistrohet ose nuk është e mundur në një vend individual.
Megjithatë, votat e jurisë nga secili vend pjesëmarrës do të numërohen, si më parë, në finalen e madhe. Ato do të kombinohen me rezultatin e votimit të publikut për të krijuar rezultatin e përgjithshëm.
Finalja e Madhe: Me pak ndryshime
Sistemi i votimit në finalen e madhe nuk do të ndikohet ndjeshëm nga rregullat e reja. Ndryshimi i vetëm është se “pjesa tjetër e botës” do të kombinohet me televotimet nga vendet pjesëmarrëse. Çdo vend pjesëmarrës do të ketë ende një votim të jurisë në finalen e madhe. /Telegrafi/